Kur te interpretojnë intervistën, media britanike e sheh Murinjon te PSG

Mjafton një intervistë, një kompliment dhe media përcakton të ardhmen tënde. Kjo po ndodh me trajnerin e Mançester Junajdit, Zhoze Murinjo, i cili sipas mediave britanike ka shumë gjasa që karrierën ta vijojë në Francë pikërisht te Paris Sën Zhermen. Të përditshmet nga vendi ishullor iu referuan një interviste të 54 vjecarit për televizionin francez ‘Telefoot’ që të nisnin aludimet e tyre për të ardhmen e Murinjos. Në intervistën e tij Murinjo nuk i kurseu aspak komplimentat per PSG, ndërkohë që theksoi se nuk do ta mbyllte karrierën te Mançester Junajtid. Por jo vetëm kaq, gjatë rrëfimit të tij, Murinjo tregoi edhe dicka për të birin teksa tha se ai shkoi në kryeqytetin francez për të ndjekur ndeshjen e Paris Sën Zhermen edhe pse ai jeton në Londër dhe kjo sepse Parisi ka dicka të vecantë; magjinë, cilësinë e jetës dhe rininë. Kaq ka mjaftuar për mediat britanike që të shpalosnin fantazinë e tyre në artikujt që flasin për karrierën e Murinjos. Kishte të përditshme si ‘The Sun’ apo ‘Daily Mail’ që përdorën si titull nofkën e Murinjos ‘The Special One’ por të përkthyer në gjuhën franceze, ndërsa e përditshmja ‘The Times’ publikoi artikullin me titull: Murinjo e la veten të pushtohet nga tundimi për një aventurë te Paris Sën Zhermen.

Sfidanti.al