Zhoze Murinjo e pranon se Mançester Junajtidi “luajti shah” me Liverpulin në ndeshjen e fundit (0-0) të Premier Ligës mes tyre, por nuk donte të pranonte se ekipi i tij kishte aplikuar një futboll mbrojtës në derbin e madh të së shtunës. Trajneri i “të kuqve”, Jyrgen Klop, tha qartë mbas ndeshjes së Junajtidi kishte ardhur në Liverpul për barazim dhe e mori atë.
“Mos më thoni mua se çfarë ka thënë Klopi, ato janë fjalët e tij dhe nuk dua që t’i komentoj ato. Ne erdhëm këtu për tri pikë, por, në pjesën e dytë, gjërat u vështirësuan për neve. Prita që Klopi të bënte ndonjë ndryshim dhe të hapej më shumë, por ai i mbajti tre lojtarët në mesfushë, duke vendosur kontroll në mesfushë, kurse ne kishim atje vetëm Matiçin dhe Ererën, ndërsa nuk kisha ndonjë opsion tjetër, pra nuk kisha se çfarë të ndërroja”, tha Murinjo, duke shtuar se “kundërshtari nuk na la hapësirë që ne të fitonim”.
Sfidanti.al