Ish-presidenti i “rrëzuar” i FIFA-s Sep Blater është hequr në fund të vitit 2015, për shkak të përfshirjes së tij në një skandal korrupsioni, dhe u dënua që gjashtë vitet pasardhës të mos t’i afrohet futbollit. Më parë, ai, në përgjithësi, i shmagej medias, kurse kohët e fundit “memecit i ka ardhur goja” dhe në autobiografinë e tij, “E vërteta ime”, ai zbulon disa fakte që kanë lidhje me heqjen e tij nga posti nr.1 i futbollit botëror. Në këtë libër, Blateri tregon versionin e tij sesi Katarit iu dha e drejta e organizimit të kampionatit botëror në vitin 2022. Sipas tij, te zgjedhja e këtij vendi arab ndikoi mjaft presioni i madh i ushtruar nga lobi francez.
“Raportin e komisionit përkatës të federatës sonë që shkoi të shihte kushtet në Katar, askush në Këshillin Ekzekutiv të FIFA-s nuk e lexoi, ndërkohë që të gjithë e dinin se ai ishte negativ dhe se ky vend nuk i përmbushtte standardet. Kuptohet se anëtarët e këtij Këshilli e kishin marrë me kohë vendimin e tyre, kështu që ata nuk kishin nevojë që t’i hidhnin sy jo vetëm raportit të lartpërmendur, por asnjë raporti tjetër”, vë në dukje Blateri, duke akuzuar Katarin se kishte dhënë ryshfete të mëdha dhe Francën për veprime të paligjshme.
“Po të ishte lexuar raporti në fjalë, pra, po të ishte miratuar ai, Katari kurrë nuk do të mund të ishte mikpritës i Kupës së Botës. Por, megjithatë, Katari me investimet e tij shumëmilionshe tek avionët francezë dhe te PSZH-ja, arriti të siguronte “komplotuesit” e nevojshëm. Madje, edhe vetë presidenti francez, Nikola Sarkozi, hyri në lojë dhe nisi t’i bindte krerët e futbollit botëror që ai njihte, që të votonin në favor të Katarit. Edhe Mishel Platinia i futi “gishtat” e tij në të gjithë procesin për zgjedhjen e vendit organizator të kampionatit botëror të vitit 2022. Ky i fundit sikurse dihet, do të zhvillohet në Katar, më 21 nëntor-18 dhjetor 2022.
Sfidanti.al