Ishte harruar pasi kishte një vit pa ia dalë. Bernard Berisha është vërtet një lojtar ofensiv, por këto kohë nuk kishte pasur shumë fat. Gjithsesi, ish-sulmuesi i Skënderbeut ia doli që ta shënonte më në fund një gol, ndërsa luan në një nga kampionatet më të izoluar, e ndoshta më të paragjykuar të botës, në Premier Ligën e Rusisë. Berisha shënoi për Ahmatin e Groznit, në ndeshjen e javës së 27-të ndaj CSKA-së së Moskës, luajtur në shtëpi. Ai hyri si zëvendësues, dhe realizoi vetëm në fund, por sidoqoftë goli mbetet gol.
Menjëherë pas tij, ai rrëmbeu topin dhe e futi poshtë fanelës duke ia dedikuar gjithçka gruas së tij, që mesa duket pret një fëmijë. Ky ishte goli i parë në kampionat për futbollistin 30-vjeçar që ka luajtur në Superligën shqiptare edhe për Besën e Kavajës, ndërsa ka qenë edhe në radhët e përfaqësueses së Kosovës. Ahmati i Groznit është në pozicion komod në renditjen e Premier Ligës ruse, duke qenë në vend të 8-të me 35 pikë, e praktikisht duke mos e rrezikuar vendin në kategori. Berisha luan për ekipin e Republikës së Çeçenisë që nga viti 2017, ndërsa në të kaluarën tek Ahmati i Groznit kanë qenë edhe lojtarët e kombëtares shqiptare, Bekim Balaj dhe Odise Roshi.
Sfidanti.al