Një futbollist zimbabvian mashtron: Kam luajtur me Mançester Sitin!

Në klubin serb të Sllobodës, sezonin e kaluar, mbërriti një futbollist nga Zimbabveja që gjoja kishte luajtur me Mançester Sitin. Fjala është për të riun Çibaro Tinotenda që iu prezantua krerëve të klubit serb si sulmues që kishte qenë kapiten i ekipit të 21-vjeçarëve të Mançester Sitit dhe si provë ai u tregoi atyre një fotografi të tij me bluzën e Sitit. Megjithatë, në foto, ku fytyra e tij nuk dukej mirë, sikurse doli më vonë, nuk ishte ai, por dikush tjetër!
“Te Mançester Siti unë fitova një përvojë mjaft të mirë që më ndihmoi të zhvillohem edhe si futbollist dhe edhe si individ. Kam luajtur me disa futbollistë fenomenalë që më kanë mësuar mua shumë gjëra, bënë që unë të zhvillohem dhe të bëhem ai që jam sot”, deklaronte ky futbollist mashtrues 25-vjeçar para disa muajsh.
Krerët e klubit serb të mësipërm panë në Wikipedia se ai kishte luajtur 18 ndeshje me Kilmarnokun skocez. Në këto kushte, ai nënshkroi kontratë me Sllobodën dhe, madje, luajti edhe shtatë ndeshje me të. Qëkur mashtrimi u zbulua, Tinotenda u përzu menjëherë nga klubi.
Sfidanti.al