Nis gara për Poçetinon, trajneri shqyrton ofertat që nga Argjentina

Nuk ka më mirë sesa shtëpia jote kur ke nevojë për t’u qetësuar. Pa u menduar dy herë, Maurisio Poçetino i hipi avionit dhe u nis drejt Argjentinës, ku ka vendosur të qetësohet për disa kohë. Ish-trajneri i Totenhemit, gjithsesi, nuk ka ndërmend të marrë ndërprerje të gjatë nga profesioni, dhe bileta e kthimit për në Europë mund të porositet shumë shpejt, ndoshta pas Krishtlindjeve.

“Në moshën time, unë nuk kam nevojë për shumë kohë për të marrë veten, – tha 47-vjeçari për “Foks Njuzin” (Fox Neës) me bazë në Argjentinë, – synimi im është të kthehem sa më shpejt në Europë, nuk mendoj se mund të punoj në Argjentinë. Këtu kam ardhur që të pushoj për nja 10 ditë, ndërsa jam i hapur për të dëgjuar projektet që mund të më paraqiten”.

Poçetino është i lidhur me postin e trajnerit tek Mançester Junajtidi, Arsenali, Bajerni i Mynihut, madje më parë është folur edhe për Realin e Madridit. . Argjentinasi është kandidat shumë i mirë, duke pasur një përvojë të madhe si trajner i Espanjolit, Sauthemptonit, dhe sidomos si trajner i Totenhemit për 5 vjet e gjysmë, duke u kualifikuar thuajse gjithnjë në Champions, e duke arritur finalen e Ligës së Kampionëve, edicionin e kaluar.

Sfidanti.al