Napoli pranon izolimin, jo nga presidenti, por nga trajneri Ançeloti

Karrigia po i rrëshqet nën të, por deri në fund duhet të sillet si njeriu që ka frenat në dorë. Karlo Ançeloti vërtet mund të shkarkohet dhe të zëvendësohet nga Xhenaro Gatuzo, por sërish mendon të shpëtojë “varkën”. Ai urdhëroi që skuadra të grumbullohet në qendrën stërvitore të klubit, pavarësisht kryengritjes së pak javëve më parë pikërisht për këtë shkak.

Lojtarët iu bindën trajnerit të tyre, i cili e mori këtë masë si ndëshkim për atë që e quan mungesë mobilizimi javët e fundit. Por, ku e gjeti këtë të drejtë Ançeloti, ndërsa para tij e provoi De Laurentis. Ishte pikërisht presidenti që ia delegoi pushtetin teknikut të tij, në takimin që ai pati me skuadrën dhe stafin teknik. Ançeloti pati një takim prej 1 ore me skuadrën, dhe u kërkoi lojtarëve shikim sy më sy, për të kuptuar sesa të bashkuar ishin me të dhe me kauzën e përbashkët. Grumbullimi do të nisë nesër menjëherë pas stërvitjes. Të shohim nëse lëvizja më e fundit e trajnerit do të ketë efekt, apo do të vazhdojë “rënia” që rrjedhimisht mund të sjellë shkarkimin e tij.

Sfidanti.al