Hënesi i prezanton personalisht zyrën presidentit të ri, i merr … tavolinën!

Numri 1 i Bajernit, tashmë edhe konkretisht, është Herbert Hainer. Ish-shefi i Adidasit, pohoi se ka marrë në dorëzim zyrën e presidentit të klubit bavarez, dhe sqaroi se atje u fut i shoqëruar nga vetë Uli Hënes. Ish-presidenti hapi për herë të fundit me dorën e tij derën e zyrës, u soll si zot shtëpie që po largohet, dhe dha disa porosi të rastit. “Ambienti ishte i mobiluar siç duhet”, – deklaroi Haineri. Qilimi i famshëm i Hënesit do të vazhdojë të mbetet aty, veçse legjenda bavareze bëri një kërkesë të veçantë. “Dua të marr në shtëpi tavolinën time të punës, – i tha ai Hainerit, – e kam dhuratë nga gruaja”.

Tashmë, Haineri do të jetë fqinj i drejtorit sportiv, Hasan Salihamixhiç, në katin e dytë të ndërtesës së klubit në Rrugën Zebener (Saebener Strasse). Presidenti i ri foli fjalë lavdëruese për boshnjakun. “Brazo bën një punë të shkëlqyer, – tha ai, – një punë të madhe sportive. Ai shpesh vlerësohet gabimisht për shkak të paraqitjes së tij në TV, por nuk duhet harruar se ai flet 4 gjuhë, por gjermanishten nuk e ka gjuhë të nënës”.

Sfidanti.al