Mendohet që tani për titullin, Antetokumbo 29 pikë në 22 minuta!

Nëse do të kishte qendruar edhe më gjatë në fushë, do të kishte bërë “namin”. Janis Antetokumbo nuk u lejua të luante më shumë se 22 minuta në duelin ndaj Nju Jorkut, por edhe aq i mjaftoi që të shkëlqente. Me 29 pikë dhe 15 topa në tabela dha një paraqitje tjetër të madhe në fitoren 132-88. Diferenca ishte tepër e madhe, dhe Miluokit i lejohej të luante edhe pa kapitenin, që do të duhet më shumë në vazhdim, sidomos kur të vijë plej ofi dhe të vendoset për titullin kampion në NBA.

Antetokumbo, lojtari më i mirë i sezonit të kaluar në basketbollin amerikan, u tregua i saktë me 10 gjuajtje të realizuara nga loja, nga 14 të provuara. Në gjuajtjet tripikëshe, ai shënoi 3 nga 4, por gaboi shumë nga vija e gjuajtjeve të lira. Në të vërtetë asnjë nga lojtarët e Miluokit nuk luajti shumë, mesatarisht 20 minuta për lojtarët kryesorë, e diçka më shumë për ata që kanë luajtur më pak. Midëllton shënoi 16 pikë e kapi 7 topa në tabela, Uilson pati 19 pikë dhe Xhorxh Hill arriti në 14.

Sfidanti.al