Muslini “shpërblehet” me shkarkim si trajner i Serbisë!?

Përfaqësuesja e Serbisë zuri vendin e parë në grupin e saj kualifikues të Kupës së Botës Rusia 2018, por, megjithatë, një arritje e tillë dhe kthimi pas kaq kohësh të kombëtares serbe në Botëror i solli trajnerit të saj kryesor, Sllavoljub Muslin, si “shpërblim”, shkarkimin e tij! Media serbe, duke iu referuar burimeve brenda federatës serbe të futbollit, lidhur me këtë situatë absurde, vë në dukje se federata në fjalë dhe Muslini ranë dakord për prishjen e marrëveshjes, kështu që përfaqësuesja e Serbisë do të shkojë në Rusi, vitin tjetër, me trajner të ri.

Megjithëse arsyet e një epilogu të tillë të papritur nuk jepen zyrtarisht, përgjithësisht, thuhet se të dyja palët kanë vizione të ndryshëm për ekipin përfaqësues të Serbisë dhe si një “mëkat” kryesor i Muslinit përmendet fakti se ai kundërshtonte që të thërriste në kombëtare futbollistin Sergej-Milinkoviç-Saviç që ndodhet në një formë të shkëlqyer me Lacion, por, sidoqoftë, nuk ia mbush syrin Muslinit. Si pasues të këtij të fundit përmenden emrat e serbit Vladimir Stojkoviç-Piksi (ish-futbollist i njohur) dhe sllovakut Vladimir Vajs.

Sfidanti.al