Murinjo driblon Benfikën, refuzon ofertën e parë mbas shkarkimit

Zhoze Murinjo që u shkarkua më 18 dhjetor si trajner i Mançester Junajtidit, tani po u gëzohet pushimeve të munguara dhe nuk është gati që ta vazhdojë punën e tij, përsa tregon edhe fakti se ai refuzoi një ofertë që atij i erdhi nga Benfika e Lisbonës, pasi kjo e fundit ka shkarkuar për rezultate të dobta trajnerin Rui Vitoria që nuk e ka ngritur më shumë se vendi i katërt këtë klub gjigant portugez.
Murinjo u bëri të ditur drejtuesve të Benfikës se, tani për tani, ai nuk është i interesuar që të kthehet në atdheun e tij dhe se synon sfida të tjera.
Ky trajner portugez, para se të bëhet i njohur si trajner i Portos, qëndroi një kohë të shkurtër në stolin e drejtimit të Benfikës. Më 2000, ai fillimisht ishte ndihmës i Jup Hajnkesit dhe, kur ky trajner gjerman u shkarkua për rezultate të dobta, Murinjo e drejtoi ekipin gjatë nëntë ndeshjeve dhe më pas u largua, pasi nuk u mor vesh për kontratën me presidentin e Benfikës.
Sfidanti.al