Mino Rajola – mjeshtër i zbulimit të “thesareve” të rinj!

Agjenti kontravers italian i futbollit, Mino Raiola, është bërë, gjatë viteve të fundit, një nga emrat më të njohur dhe më me ndikim në botën e futbollit, jo vetëm se ai, si “klientë”, ka disa lojtarë të llojit të Zllatan Ibrahimoviçit, Pol Pogbas, Romelu Lukakut, etj., por edhe se ai di të zbulojë supertalentet e rinj, ndryshe, “thesarët” e rinj, pasi këta të fundit i sjellin atij para të mëdha! Tani, ai do që “të fusë nën sqetull” futbollistin e ri të Borusias së Dortmundit, Osman Dembele, ndërkohë që, vitin e kaluar, ishte, pikërisht, ky agjent futbolli me fuqi të mëdha që realizoi transferimin më të shtrenjtë të deritanishëm në historinë e futbollit, duke kthyer në “Old Traford” francezin Pol Pogba, pasi Junajtidi pagoi për të shumën rekord prej 105 milionë eurosh, plus 5 (pesë) milionë të tjerë në formë bonusesh.

Në këtë transferim, “mjeshtri” Rajola arriti që të marrë provizione (përfitime) nga të gjitha palët e përfshira në marrëveshje, nga Juventusi, nga Junajtidi dhe nga vetë Pol Pogba, duke marrë për vete me “putrën” e tij mbi 41 milionë sterlina! Edhë gjatë kësaj vere, Mino Rajola është në qendër të vemendjes, pasi po “rregullon” transferimet e Lukakut te Celsi dhe qëndrimin ose largimin e portierit të ri të supertalentuar të Milanit, Xhixho Donaruma.

Sfidanti.al