Paratë nga Lindja e Mesme mund të pushtojnë edhe futbollin italian duke vënë në shënjestër Interin në pronësi të kinezëve të Suning. “Tuttosport” dhe “Corriere dello Sport” raportojnë se ky është lajmi i madh në lidhje me të ardhmen e klubit zikaltër. Sipas mediave në fjalë, ka një interes të madh dhe shumë shpejt do të mbërrijë në Milano edhe një ofertë konkrete.
“Raine Group”, banka e investimeve e cila së bashku me Goldman Sachs u ngarkua të propozonte dosjen e Interit tek investitorët e mundshëm, ka gjetur një subjekt me origjinë nga Lindja e Mesme të interesuar për të marrë pjesën më të madhe të klubit. Familja Zhang e ka “lakun në fyt” për 275 milionë euro të huasë së marrë nga Oaktree në maj 2021, kredi të cilën do të duhet ta shlyejnë me interes që do ta çojë shifrën në gati 400 milionë deri në të njëjtin muaj të 2024. Suning vështirë se do të jetë në gjendje të shkojë më tej dhe se nëse nuk ka mrekulli financiare, ata do të duhet të shesin aksionet e tyre.
sfidanti.al