Maradona sulmon papritur Zanetin: I fut hundët dhe veten .. ku te mundet!

Legjenda argjentinase e futbollit, Diego Armando Maradona, e sulmoi papritur mjaft ashpër bashkatdhetarin e tij, gjithashtu legjendar, Havier Zanetin, që momentalisht është nënpresident i Interit. Megjithëse nuk është e qartë se përse Maradona e kritikoi keqazi Zanetin pa asnjë arsye, në një intervistë në median italiane “Perëndia” e futbollit argjentinas vuri në dukje se ai i urren njerëzit që i fusin hundët gjithandej, duke u hequr si “shpëtimtarë”.
Zaneti, në fakt, të gjithë karrierën e vet e ka kaluar tek Interi dhe konsiderohet me të drejtë si një nga legjendat më të mëdha të epokës moderne të “zikaltërve”, pasi ai ka luajtur në këtë klub italian mëse 600 ndeshje, duke shënuar 12 gola.
“Gjatë të gjithë kohës, ai nuk bën asgjë tjetër, veçse ofron veten për çdo punë tek Interi. I duhet Interit president, ai është atje gati. I duhet Interit trajner për kondicionin fizik, ai është atje gati. Rrezik, po t’i duhet Interit ndonjë rezervë, ai përsëri është gati që ta ndërpresë pensionin dhe të rifillojë të luajë. Me të vërtetë, mua nuk më pëlqejnë njerëz të tillë që i fusin hundët gjithandej”, tha Maradona.
Sfidanti.al