Përfaqesuesja e Spanjës konsiderohet si një nga favoritet kryesore për titullin e kampionit të botës, por, megjithatë, mbas problemeve të papritura që u krijuan mbas shkarkimit nga federata spanjolle të trajnerit të deritanishëm, Hulen Lopetegi, çështje e hapur mbetet sesi do të reagojnë lojtarët spanjollë në fushë. Sikurse dihet, arsyeja e shkarkimit të tij nga federata spanjolle ka lidhje me faktin se ai zhvilloi bisedime me Realin e Madridit mbas shpinës së kësaj federate. Lopetegi për këtë veprim të tij mori shumë kritika, midis tyre edhe nga Çavi Hernandez, kurse dje atë e kritikoi ashpër edhe legjendari Diego Maradona.
“Nuk bën kështu, zoti Lopetegi, ju përfaqësoni një vend si Spanja, ndërkohë që nënshkruani marrëveshje me një klub të saj, pavarësisht se për cilin klub bëhet fjalë. Ju, kështu luani me shpresat e njerëzve, ndërkohë që Spanja është një përfaqësuese që është e zhytur e gjitha, me këmbë, mendje dhe zemër në Botëror. Po, ju, ku e kishit mendjen? Sidoqoftë, tani në krye të ekipit erdhi Fernando Jero, një djalë i madh dhe një nga lojtarët më të mirë që unë kam njohur, por, ama, atë po e fusin direkt në zjarr! Shpresoj që ai të dalë pa u djegur. Spanja di të luajë mirë, por, sidoqoftë, asaj tanimë i mungon strategu Çavi Hernandez”, vuri në dukje Maradona.