Maradona dhe mallkimi në pankinë; tjetër humbje në finale

Për Diego Armando Maradonën u sfumua sërish ëndrra për të fituar një trofe si trajner. skuadra e tij Dorados, për të dytin vit radhazi humbi në kohën shtesë në finalen e playoffit në serinë B meksikane, përsëri ndaj skuadrës Atletiko San Luis të Potosi me këtë të fundit që fitoi të drejtën për t’u ngjitur një kategori më lart. Pas sfidës së parë të finales së Clausurës që u mbyll 1-1, ajo e kthimit përfundoi 0-0 dhe në minutën e 102, goli i Unai Bilbaos zgjati mallkimin në stol të El Pibe De Oros.

Në të vërtetë Maradona si trajner nuk është se ka pasur shkëlqimin që kishte si futbollist, përkundrazi. Pas dështimeve me Rasing dhe përfaqësuesen argjentinase në 2008-2010, Maradona shënoi rezultate zhgënjyese edhe në Emirate me Al Vasl dhe me Al Fuzhairah në Divizionin e Dytë, me këtë të fundit që për ironi të fatit u ngjit një kategori më sipër menjëherë pas largimit të tij

Sigurisht në Meksikë bëri dicka më mirë, por mallkimi i pankinave të tij e do sërish pa trofe edhe pse me ardhjen e tij Dorados nga vendi i fundit arritën të kualifikoheshin për në finale si në Aperturë ashtu edhe në Clausula duke humbur në të dyja rastet.

‘Jam i trishtuar për futbollistët, jo për mua-tha Maradona-në karrierën time kam fituar, kam humbur kam gëzuar e kam ekzagjeruar. Kam qenë pranë vdekjes, kështu që kjo nuk më bën asgjë. Më besoni, jam i trishtuar sot, por më shumë për skuadrën’.

sfidanti.al