Roberto Mançini u ul në stolin e drejtimit të përfaqësueses së Italisë që “të shuante zjarrin” që ndezi trajneri i mëparshëm, Ventura, që nuk arriti ta kualifikonte Italinë në Botërorir e fundit të Rusisë. Por edhe me Mançinin, Italia nuk po ecën mirë. Në Ligën e sapoformuar të Kombeve, përfaqësuesja italiane ka pësuar humbje nga Portugalia dhe ka barazuar në fushën e vet me Poloninë, ndërkohë që të mërkurën ajo do të zhvillojë një ndeshje kontrolli me Ukrainën, kurse menjëherë mbas saj, të dielën, ajo do të luajë përsëri me Poloninë në fushën e kësaj të fundit në kuadrin e raundit të 3-të të Ligës së Kombeve.
Në prag të ndeshjeve të mësipërme, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me formacionin e ekipit, Mançini vuri në dukje se ai kishte ndjekur lojën e Sebastiano Xhovinkos që luan përtej oqeanit dhe të cilin ai ka ndërmend që ta kthejë në përfaqësuese mbas tre vitesh mungese, ndërkohë që ai (Mançini) tha se në një kohë të mëvonshme ai do të thërrasë në ekipin e tij edhe Mario Balotelin dhe Andrea Belotin.
Sfidanti.al