Idili me trajnerin kroat të Bajernit të Mynihut, Niko Kovaç, nuk zgjati shumë. Kriza që ka përfshirë tani ekipin bavarez, ka bërë që shumë figura të njohura të futbollit gjerman dhe botëror të lëshojnë kritika të forta në adresë të këtij trajneri. Midis tyre, u prononcua edhe legjenda e futbollit gjerman, Lotar Mateuz, të cilit i ka bërë një përshtypje të madhe forma mjaft e keqe e ekipit bavarez.
“Një Bajern më të keq se ky i tanishmi unë nuk kam parë ndonjëherë më parë. Futbollistët luajnë në fushë, por duken sikur mendjen e kanë gjetkë, vetëm në fushë jo! Shihni reagimin e tyre në fushë, atyre u mungon entuziazmi dhe i gjithë ekipi është një katastrofë e vërtetë”, tha Mateuzi mbas humbjes 0-3 të Bajernit nga Borusia e Mynshengladbahut në “Alianc Arena”.
Media sportive gjermane publikoi të dhënën se për herë të fundit ka qenë viti 1999, kur Bajerni nuk kishte fituar në katër ndeshje radhazi.
Sfidanti.al