Nëse studion statistikat që kanë lidhje me këtë që ka ndodhur, atëherë e ke shumë të lehtë për ta kuptuar. Italia ka vite që është në vështirësi me kombëtaren sepse klubet kryesore në vend nuk kanë besim tek lojtarët e rinj. Pra, ndonëse Federata Italiane e Futbollit nuk ia ka hequr aspak besimin trajnerit Roberto Mançini, i cili pritet të vazhdojë edhe pas Botërorit, realiteti në terren është tepër i vështirë për të bërë një rinovim. Observatori i statistikave të futbollit (CIES) ka botuar të dhënat për aktivizimin e lojtarëve Nën 21 vjeç (U21) në kampionatet e Europës, dhe Seria A bashkë me Serinë B, janë në fund të renditjes kur vjen puna për ligat kryesore të kontinentit. Në Ligën e Parë të Francës aktivizimi për U21 është në 9.1 për qind të minutave, në Bundesligën gjermane zbret në 7.1 për qind, në Premier Ligë në 4.4 për qind, në La Ligën e Spanjës në 4.2 për qind dhe në Serinë A vetëm në 3.9 për qind të minutave. Edhe Seria B është e parafundit, duke lënë pas vetëm Bundesligën e dytë gjermane.
Sfidanti.al