Mançester Siti – ekipi më dominues në historinë e Premier Ligës

Mançester Siti që u shpall kampion i Anglisë fundjavën e kaluar, u bë klubi i parë anglez që e mbron titullin mbas një dhjetëvjeçari. Makineria e Pep Guardiolës mori edhe çmimin e klubit më dominues dhe më të mirë në historinë e Premier Ligës. Që Siti është ekip i fuqishëm, e tregoi edhe fakti se Liverpuli, edhe pse grumbulloi 97 pikë, mbeti pa titullin kampion, gjë që duket e pazakontë.

“Të kuqtë” që kanë 29 vite pa e fituar titullin e kampionit të Premier Ligës, me aq pikë sa kanë mbledhur (97) do të ishin shpallur kampion të Anglisë në 26 nga 27 sezonet e fundit të Premier Ligës! Sezonin e kaluar, nëse Liverpuli do të kishte grumbulluar 97 pikë, do të dilte në vend të dytë, pasi Siti i Guardiolës e mbylli sezonin me 100 pikë.

Anglezët, mbas këtyre dy sezoneve të shkëlqyer të klubit “qytetar”, kanë bërë llogaritë përkatëse, duke konkluduar se Mançester Siti është më i mirë dhe më dominues edhe sesa ai Arsenal që e fitoi dikur pa asnjë humbje Premier Ligën dhe edhe sesa Mançester Junajtidi i vitit 1999.

Siti e fitoi titullin e kampionit të Anglisë, duke shënuar 32 fitore në 38 ndeshje. Më afër tij është Çelsi (29 fitore) dhe, megjithëse Siti ka katër humbje, ndërsa Arsenali asnjë, kur doli kampion, ekipi “qytetar” ka një golaverazh fantastik +72 (më afër – Çelsi +57). Mesatarja e golave për ndeshje të shënuar nga Siti është 2,5.

Sfidanti.al