Tek Frankfurti ishte një “vrasës” para portës, dhe transferimi tek Reali u duk shpërblimi më i mirë për arritjet e tij. Gjithsesi, kalimi në “Santiago Bernabeu” duket se u bë pengesa më e madhe në karrierën e Luka Joviçit, pasi sulmuesi serb po merr kritika nga të katër anët. Pasi trajneri Zidan e aktivizoi shumë pak, ja ku erdhi përjashtimi nga kombëtarja prej trajnerit Ljubisha Tumbakoviç. Ky i fundit besohet se u zemërua shumë që Joviç humbi një ndeshje me kombëtaren për shkak dëmtimi, ndërsa 4 ditë më vonë luajti për Realin ndaj Levantes në La Liga.
Pas përjashtimit, erdhi edhe reagimi i babait të Lukës, Milan Joviçit, i cili e ndoqi të birin që kur nisi të luante futboll në Bosnjë-Hercegovinë si fëmijë, deri kur kaloi tek Crvena Zvezda në Beograd, apo edhe në Europë. “Habitem shumë nga këto që dëgjoj për Lukën, – tha babai, – pasi ai është patriot dhe e respekton kombëtaren. Stema e Serbisë është e shenjtë për tim bir. Duket se gjërat e mira harrohesn shpejt. Luka ende pa firmosur për Realin u dëmtua me Serbinë U21, por deklaroi se do të luante për kombëtaren edhe me një këmbë”.
Sfidanti.al