Edhe pse në fund thekson se shanset më të mëdha janë që kampioni i botës të shkojë në Madrid, sërish ish-trajneri i Arsenalit nuk është plotësisht i bindur. Arsen Venger mbetet i dyzuar lidhur me të ardhmen e Kilian Mbapesë. “E vërteta është se Paris SG po i mbetet gjithnjë e më pak kohë për ta bindur Mbapenë që të qendrojë, – tha francezi, – por, gjithsesi mbetet një shans që ai të luajë në Francë për një kohë të gjatë. Fakti që PSG refuzoi vjet ofertën e Realit prej 180 milionë eurosh, do të thotë se klubi ka besim se mund t’ia dalë mbanë. Edhe për PSG-në ajo ishte një shumë e madhe. Ndoshta, klubi mendon se nëse realizohet një sezon i madh Mbapeja qendron”. Nga ana tjetër, Zllatan Ibrahimiviç ia ka bërë të qartë sulmuesit se “nëse do të isha në vendin e tij, do të shkoja tek Reali”.
Sfidanti.al