Tite thumbon Paris SG: Nejmari më i mirë, ai që luante tek Barcelona!

E quan të rëndësishëm, edhe pse jo të pazëvendësueshëm, dhe padyshim mbështetet shumë tek ai. Trajneri i Brazilit, Tite, flet fjalë lavdëruese për Nejmarin, por padyshim për atë Nejmar që të jetë në kulmin e formës së tij fizike dhe psikologjike. “Nejmari është i rëndësishëm sepse e bën më të paparashikueshme lojën tonë, – shprehet Tite, – kjo e rrit edhe më shumë vlerën e lojës kolektive”. Gjithsesi, për të, sulmuesi me numrin 10 nuk po jep maksimumin, por jo për faj të tij.

“Nejmari më i mirë gjatë karrierës së tij ishte ai që luajti tek Barcelona, – thekson Tite, – ai atje luante në të djathtë të sulmit, në sistemin 4-3-3 që e lejonte të tregonte gjithë aftësitë e tij”. Një kritikë për Paris SG dhe për trajnerët e tij, me të fundit në stol që është Tomas Tuhel. Ndoshta, Nejmar e ndjen se duhet të kthehet tek Barcelona për të kapur sërish nivelin e tij më të lartë në fushën e lojës.

Sfidanti.al