Ishte kritikuar shpesh për dështimet, por këtë herë u tregua më i forti. Paris SG ua mori në kthesë të tjerëve në ditën e fundit të transferimeve në futboll, duke marrë ata që deshi, dhe duke mbajtur yllin kryesor që donte të largohej. Mauro Ikardi bëri kalimin e madh nga Interi në kryeqytetin e Francës, një sukses ky edhe i klubit italian, pasi rinovoi fillimisht kontratën me zikaltërit, e duke u huazuar më pas tek PSG-ja.
Kampionët e Francës kanë të drejtë t’ia blejnë kartonin vitin tjetër për 70 milionë euro, nëse do të bien dakord. Komentet janë që sulmuesi argjentinas është një zëvendësim për Edinson Kavanin, i cili po me shumë gjasë po i afrohet fundit të karrierës në Paris.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, – u shpreh Ikardi në prezantim, – kalimi tek Paris SG është një hap i madh përpara në karrierën time. Është një mundësi e madhe për mua për të treguar veten. Shpresoj të arrijmë gjëra të mëdha së bashku”. Ikardi, më së shumti dëshironte të shkonte tek Juventusi, por u detyrua të pranonte këtë zgjidhje, ndërsa besohet se e ka mbyllur gjyqin ne Interin.
Blerja tjetër e rëndësishme e kampionëve të Francës është ajo e portierit të Realit, Kejlor Navas, njërit prej gardianëve më të vlerësuar në botë. Konkretisht, ishte një shkëmbim pasi në Madrid shkoi ish-portieri i PSG-së, Areola.
Arritje e madhe e klubit parizien ishte edhe mbajtja e Nejmarit. Braziliani dëshironte me çdo kusht largimin, për tek Barcelona, ose edhe tek Reali i Madridit, por nuk ia doli. Katalanasit nuk kishin financat e duhura për të përballuar çmimin e kërkuar nga presidenti Al Helaifi, ndërsa madrilenët besohet se dyshonin tek brishtësia fizike e Nejmarit, që dëmtohet shpesh. Po ashtu, hamendësimet janë që Reali do të synojë Kilian Mbapenë verën e ardhshme.
Sfidanti.al