Një 21-vjeçar si Kilian Mbape, ylli francez e feston me gola në Paris!

Reali mund të presë, dhe për momentin spektakli ndodhet në kryeqytetin e Francës. Kilian Mbape e kremtoi 21-vjetorin e tij, jo vetëm me ngjyrën e re të flokëve, por edhe me dy gola për Paris SG. Suksesi ndaj Amienit ishte i lehtë (sa e mërzitshme duket ndonjëherë Liga e Parë), dhe Mbape u duk sikur po luante kundër fëmijëve. Edhe pse është vetëm pak më shumë se adoleshent, sërish kampioni i botës duket i “prerë” për skena më të mëdha sesa kjo.

Ai bashkëpunoi ngushtë me Nejmarin, ndërsa sulmi “atomik” parizien realizoi për qejf në portën mike. Dy herë Mbape, një herë Nejmar dhe një herë Ikardi ishin autorët, dhe trajneri Tuhel e ka treshen e tij ofensive, të quajtur MNI. Këtë kënaqësi nuk mund ta kenë vetëm Barcelona apo Liverpuli. Mbape ka shënuar 11 gola e ka dhënë 4 asistë në 12 ndeshjet e fundit të kampionatit francez, ndërsa Ikardi ka 9 rrjeta në 11 sfida. Gjithsesi, të dy janë prapa sulmuesit të Monakos, Uisam Ben Jeder, që ka shënuar 13 herë, ndërsa Nejmar është ndalur në kuotën 8.

Sfidanti.al