Nejmar, Paris SG, Barcelona, secili po luan për vete!

U kthye më në fund, por nuk është e sigurt nëse do të qendrojë. Nejmar për momentin mban të veshur fanelën e Paris SG, veçse ndryshimi është në ajër dhe secila palë po bën lëvizjet e saj, pra lojtari, klubi i tij dhe Barcelona që e kërkon. Vetë futbollisti, i cili nuk ka dëshirë të vazhdojë një vit tjetër në Ligën e Parë të Francës, pavarësisht golave të shumtë të shënuar, dhe trofeve të fituar.

Dëshirën e tij besohet se e ka shprehur në Paris, dhe trajneri Tomas Tuhel e pohon. “E kam ditur që Nejmar dëshiron të largohet, – u shpreh ai pak ditë më parë, – kjo është çështje e klubit dhe e lojtarit. Natyrisht, nuk jam i lumtur që ai erdhi vonë në grumbullim, kështu ndodh për çdo lojtar që vonohet, por siç e thashë i takon klubit të vendosë”.

Një sinjal tjetër sulmuesi e dha kur ishte ende në Brazil, dhe u shpreh se momenti më i bukur në karrierën e tij ishte kur fitoi me Barcelonën 6-1 ndaj Paris SG në Champions, duke e eleminuar skuadrën e tij të ardhshme. Në atë ndeshje, numri 10 shënoi 3 gola duke qenë i papërmbajtshëm.

Paris SG besohet se nuk do ta pengojë Nejmarin të largohet, edhe sepse ka marrë mesazhin nga Kilian Mbape. Kampioni i botës me Francën, deklaroi që në maj se “kam ardhur në një moment të karrierës kur duhet të marr më shumë përgjegjësi, dhe kjo mund të ndodhë tek PSG-ja apo diku tjetër”. i shpallur si lojtari më i mirë i Ligës franceze, ai dëshiron të jetë numri 1 i ekipit, por kjo do të jetë e vështirë me Nejmarin aty.

Destinacioni më i mundshëm i brazilianit mbetet Barcelona, edhe pse nuk mund të përjashtohen Reali i Madridit apo Juventusi. Presidenti Bartomeu e ka rritur ndjeshëm ofertën, duke premtuar 100 milionë euro, plus duke i bërë një paketë prej 6 lojtarësh Paris SG, nga e cila francezët do të zgjedhin dy. Në listë janë Filip Kutinjo, Usman Dembele, Ivan Rakitiç, Nelson Semedo apo Malkom, si dhe një tjetër emër që nuk bëhet i ditur.

Katalanasit duhet të kenë kujdes me rregullat financiare të UEFA-s, që nuk lejojnë diferencë negative më të madhe se 100 milionë euro në shitje-blerje. Barça ka 223 milionë euro borxhe, ndërsa nëse merr edhe Nejmarin mund të shkojë në mbi 400 milionë.  Për këtë arsye, duhet të largojë lojtarë, madje për shuma të mëdha.

Sfidanti.al