Mançester Junajtidi gjen “Lampardin” e ri tek Sportingu portugez

Është një nga mesfushorët më të mirë të botës. Bruno Fernandes shkëlqeu edicionin e kaluar me Sportingun e Lisbonës, ndaj edhe për të nisi një ankand i madh i verës. Fitues në këtë garë duket se do të dalë Mançester Junajtidi, pasi klubi anglez e ndoqi me vendosmëri dhe i tregoi portugezit sesa i rëndësishëm është për të.

Vlerësimi i Sportingut për kartonin e 24-vjeçarit arrin në 100 milionë euro, por besohet se klubi anglez mund të shpenzojë më pak. Mediat britanike shkruajnë se Mançester Junajtid ka bërë ofertën prej 70 milionë paundësh stërlina, që do të thotë diçka më pak se 80 milionë euro, dhe se kjo mund të jetë shifra fituese.

Bruno Fernandes shënoi 31 gola sezonin e kaluar, duke thyer rekordin e kampionatit portugez për rrjetat e shënuara në një vit sportiv prej një mesfushori. Futbollisti luajti disa vjet në Itali për Udinezen apo Sampdorian, por në 2017 u kthye në Portugali në radhët e Sportingut, për të cilin realizoi 47 herë në 106 ndeshje në dy sezone.

Ai ishte i rëndësishëm në ligën portugeze, por edhe në Ligën e Europës, ndërsa është kthyer në titullar edhe në kombëtaren e Portugalisë. Spekullimet janë që Junajtid e kërkon Fernandesin për të zëvendësuar Pol Pogbanë, por klubi e refuzon këtë variant.

Sfidanti.al