Një tregolësh, një rrjetë e shënuar me një aksion individual prej 70 metrash dhe një formë që duket se do t’i mbyllë gojën kritikëve të paktën për disa kohë. Ky ishte Kilian Mbape në një ndeshje vërtetë të futbollit francez, por nga ato të vështirat, pasi luhej në fushën e Lionit. Nuk është gjë e vogël, as për Paris SG, të fitosh 5-1 në stadiumin “Zherland”, pra nuk ishte pak edhe që Mbape shënoi 3 gola, veçse trajneri Tomas Tuhel edhe më shumë u gëzua për ndeshjen e luajtur nga Nejmar, i cili gjithashtu shënoi edhe një gol, ndërsa parizienët u kualifikuan në finalen e Kupës së Francës.
“Nejmari ishte stërvitur mirë për këtë të mërkurë, – u shpreh trajneri gjerman, – dhe ishte e domosdoshme që të luante. Ne kemi nevojë që ai të fitojë ritmin, ndërsa u kthye nga dëmtimi. Ne duam që ai të jetë gati për ndeshjet tepër të rëndësishme të ardhshme”. Ndeshja më e rëndësishme e ardhshme është ajo e Championsit ndaj Dortmundit, pas humbjes 1-2 në Gjermani. PSG do të ketë mungesa të rëndësishme si Verrati apo Mënier, ndoshta edhe Tiago Silvën, ndaj dyshja Nejmar-Mbape pritet të jetë vendimtare. Mbape, ndërkaq, po arrin nivele shënimi të krahasueshëm me vitet më të mirë të Mesit apo Ronaldos. Ai ka 30 rrjeta në 32 ndeshje këtë sezon deri tani, ndërsa vjet arriti në 39 gola në 43 ndeshje.
Sfidanti.al