Suksesi shijon shumë, sidomos kur shoqërohet nga paratë. Paris SG po kthehet dalë nga dalë në një klub që t’i plotëson të dyja dëshirat dhe kjo po ndikon edhe tek yjet që janë ndër më të mëdhenjtë në botë. Kilian Mbape dhe Nejmar mesa duket po binden që të rinovojnë kontratat e tyre në kryeqytetin e Francës. Këtë e pohon presidenti i klubit, Naser Al Helaifi, siç raportojnë mediat fanceze dhe ato europiane, dhe sheiku ka arsye të forta për të besuar.
Arritja e vjetshme në finalen e Championsit ka bërë që PSG të shihet si një ekip i aftë për të synuar trofetë më të mëdhenj të mundshëm, ndërsa gjithë këta vjet janë fituar vetëm titujt në Francë. Mbape ishte ylli më i vështirë për t’u mbajtur, me kontratën që i përfundon në vitin 2022 dhe me interesimin e fortë të Realit të Madridit. Vështirë që dikush t’i thotë “jo” spanjollëve, por ndoshta kriza e koronavirusit ka bërë të vetën, ndërsa parizienët mesa kuptohet e ndjejnë shumë më pak.
Mbape është 21 vjeç, kampion i botës në fuqi me Francës, dhe i vlerësuar si pasardhësi i paracaktuar i Mesit dhe Ronaldos. Ai ka kaluar 100 golat me fanelën e PSG-së në vetëm 138 ndeshje. Edhe kontrata e Nejmarit përfundon në 2022, por braziliani ka qenë më i lehtë për t’u mbajtur.
Barcelona, që e kërkoi me ngulm 2 vjet me radhë, është në krizë të thellë financiare dhe sportive, ndaj e ka të pamundur për të synuar transferimin. Braziliani për momentin mund të vlerësohet si lojtari më i fortë në botë për shkak edhe të moshës optimale 28-vjeçare. Paris SG shpenzoi në total 400 milionë euro për kartonin e dy yjeve në 2017, dhe Mbape e Nejmar janë shtyllat e projektit që, pas Francës, të dominohet edhe Europa.
Sfidanti.al