Mbape dëshiron të prishë “syrin e keq”: Nuk dua të jem numri 1

Nuk ka lojtar në botë, qoftë edhe ai që nuk i ka mundësitë, që nuk mendon për të qenë një ditë numri 1 në botë. Aq më tepër, një “i përzgjedhur” si Kilian Mbape nuk mund të mos mendojë për të konkurruar me legjendat e të gjitha kohëve, por duket se sulmuesi francez është supersticioz, apo besëtyt.

Në një intervistë për televizionin amerikan, ESPN, ylli 20-vjeçar i Paris SG, theksoi se nuk është ëndërr e tij të jetë më i miri i të gjitha kohëve, dëshirë që e ka shprehur hapur Kristiano Ronaldo, dhe që mendohet se e ka edhe Lionel Mesi. “Dua të fitoj Championsin dhe Topin e Artë, – shprehu ai synimet e veta, – për të fituar të dytin, duhet fituar Liga e Kampionëve”. Duket se Mbapeja dëshiron t’i marrë punët një e nga një, për të arritur më në fund tek llogaria nëse mund të quhet më i miri për të gjitha kohët apo jo.

“Unë dua të jap maksimumin tim dhe të jem krenar me karrierën time, këtë mund të bëj, jo të pretendoj që të jem më i miri i të gjitha kohëve, – vazhdon kampioni i botës, – dua të kem sukses, të fitoj trofe, individualë dhe me skuadrën”. Mbape veçon katër lojtarë të kohëve moderne, që sipas tij kanë ndryshuar futbollin, dhe këta janë Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Zinedin Zidan dhe Ronaldinjo.

Sfidanti.al