Kombëtarja mund të jetë në kulmet e saj, ndërsa fitoi Ligën e Kombeve dhe premton shumë në Kupën e Botës. Gjithsesi, nëse Benzema e Mbape shkëlqejnë me fanelën e “gjelave”, në Ligën e Parë të Francës, “gjelave” u kanë rënë “pendët” me kohë. Sinjali i fundit ishte incidenti në ndeshjen Lion-Marsejë, ku një tifoz vendas goditi me shishe plastike lojtarin mik, Dmitri Paje. Fotoja e ish-lojtarit të Francës, shtrirë në tokë duke mbajtur kokën me duar, duket se është simboli më i saktë dhe më i fuqishëm i gjendjes në ligën franceze. Ndeshja në Lion u braktis pasi arbitri deklaroi se nuk ekzistonin kushtet e duhura të sigurisë, diçka që duket e paimagjinueshme në një vend si Franca në BE dhe në një nga 5 ligat më të forta të botës. Ndaj Pajesë pati edhe ofendime raciste, ndërsa Komisioni i Disiplinës mblidhet sot. Dhuna në futbollin francez ka qenë e madhe këtë sezon, Nisës iu hoqën dy pikë në renditje (1 pikë me kusht) pas dhunës së tifozëve të saj ndaj lojtarëve të Marsejës, derbi Lens-Lilë pati probleme të mëdha, ndërsa konflikte ka pasur edhe në Monpelje, Anzher, Marsejë dhe Sent Etien.
Sfidanti.al