Tre humbje deri në fillim të nëntorit nuk janë shenjë e mirë. Paris SG vërtet është ende i shkëputur në Ligën e Parë të Francës, dhe me gjasë do ta fitojë sërish titullin, por dështime të tilla si ai në fushën e Dizhonit padyshim që krijojnë alarm. Skuadra miliardere u mund në fushën e ekipit të fundit në renditje, që madje kishte mungesa për shkak dëmtimeve. Nuk vlejti goli i të zakonshmit Kilian Mbape, dhe pikëpyetje u ngritën për potencialin e parizienëve sidomos në Champions.
Po ashtu, u hodhën dyshime mbi fatin e trajnerit Tomas Tuhel, i cili nuk po mundet të krijojë një ekip me vazhdimësi. PSG ka 9 fitore, por edhe 3 humbje në ligë këtë sezon. “Ne nuk merituam që të ishim fatlumë, – paralajmëroi Tuheli, – humbjen e pësuam në pjesën e parë, pasi luajtëm shumë dobët. Pas pushimit ishim më mirë, por sërish pësuam dy gola dhe lejuam shumë gjuajtje të kundërshtarit, nuk ishte normale. Nuk është hera e parë që ndodh, por nuk është mirë për ne”.
Gazetat po ashtu u shprehën të pakënaqura. “PSG në dushin e Dizhonit”, shkruan “L’Ekip”, me të përditshme që thotë se 3 humbje në kampionat në kaq pak javë janë një sinjal alarmi! “I kemi dashur, por nuk i duam më”, – titulloi “Lë Parizien”, që sqaron se Mbape dhe Kavani ishin pozitivë, por pati dobësi në mbrojtje, në disiplinën taktike, si dhe tek portieri Kejlor Navas!
Përtej, problemeve në fushë, Tuhel do të ketë edhe më shumë kokëçarje nga konkurrenca në sulm. Kavani u kthye nga dëmtimi dhe Nejmar do të jetë gati shpejt, ndërsa në formacion kanë luajtur Mbape, Ikardi e Di Maria. Një luks që mund të kthehet në përçarje. Atmosfera vazhdon të jetë e mirë, pasi nuk harrohet fitorja 3-0 në Champions ndaj Realit, gjë që tregoi se PSG mund të sfidojë këdo, veçse skuadra e milionerëve vazhdon të jetë e pabesueshme.
Sfidanti.al