Uli Hënes dhe Karl-Hajnc Rumenige u fiksuan pas tij, ndërsa e ndoqën me gojë të hapur sesi krijoi një makineri të vërtetë futbolli si Ajntrahtin e Frankfurtit. Në qytetin e Bursës u ngrit ylli i Niko Kovaçit, që shpejt hodhi hapin më të madh që një trajner mund të bëjë në Gjermani, drejt stolit të Bajernit. Me Frankfurtin, ai u kualifikua për në Ligën e Europës dhe fitoi Kupën e DFB-së, duke mundur në finale pikërisht Bajernin e Jup Hajnkesit.
Sot, rreth një vit e gjysmë më vonë, duke se është po Frankfurti që po vendos fatin e kroatit, tashmë për keq. Katastrofa e Bajernit në fushën e Ajntrahtit, 1-5 për Bundesligën, bëri që tabloidi “Bild” të titullonte: “A do të jetë Kovaç trajner i Bajernit deri në ndeshjen me Dortmundin?” Nuk dihet se çfarë vendimi do të marrin Hënes dhe Rumenige, por është e qartë se “bosët” nuk janë aspak të lumtur. Ata thjesht po hulumtojnë nëse Kovaç ka ende besimin e lojtarëve, sepse nëse nuk e ka, atëherë fati i tij është i përcaktuar.
Zherom Boateng doli me të kuq në Frankfurt, pastaj vendasit shënuan me anë të Kostiçit dhe Sout. Levandovski shkurtoi diferencën në 37’, por kampionët nuk mundën të bënin më shumë. Pas pushimit, bavarezët u lodhën dhe golat erdhën radhazi, Abraham në 49’, Hintereger në 61’ dhe Pasiensa në 85’. Kjo humbje bëri që Bajerni të zbriste në vend të katërt me 18 pikë, ndaj 22 të Gladbahut kryesues.
Sfidanti.al