Lampard quhet basti i Çelsit, Pulishiç është befasia…

Trajneri i ri i Çelsit, Frank Lampard, gjatë këtij sezoni do të drejtojë ish-klubin e tij dhe kjo gjë do të jetë një sfidë e madhe për të, duke patur parasysh se ata që e drejtojnë këtë klub, janë të paduruar, i duan sukseset menjëherë, kështu që i ndërrojnë shpesh trajnerët.

Sesi do të shkojë puna me Lampardin, do ta tregojë koha, por, sidoqoftë, detyra që ai ka marrë përsiper, është me të vërtetë shumë e vështirë, ndërkohë që gjërat i komplikon edhe më shumë fakti se ky klub londinez e ka të ndaluar nga UEFA të blejë lojtarë të rinj, kështu që Lampardi duhet “të kavardiset me dhjamin” që ka.

Megjithatë, Çelsi në përbërjen aktuale të tij ka futbollistë cilësorë dhe njeri prej tyre e ka entuziazmuar shumë trajnerin e ri. Fjala është për futbollistin e ri amerikan, Kristian Pulishiç, nga i cili pritet shumë në “Stemford Brixh”, sepse atij i takon që të mbushë “vakuumin” që la mbrapa Eden Azari që u transferua te Reali.

“Mua më bën përshtypje të madhe mënyra sesi Kristiani i shënon golat. Ai është i ri, ka një potencial të madh dhe unë jam i kënaqur që ne e kemi atë në ekip”, deklaroi Lampardi mbas fitores 5-3 të Çelsit kundër Salcburgut në një ndeshje miqësore.

Sfidanti.al