Majk Xhejms – lindi  “bomba” e re e CSKA-së së Moskës

CSKA-ja e Moskës, pasi fitoi titullin e kampionit të Evropës, nisi “remontin” e repartit të mbrojtjes, pasi nga ky klub i njohur rus u larguan disa basketbollistë kyç, De Kolo. Rodrigez dhe Higins. Në këto kushte, ishte e qartë se trajneri grek i klubit moskovit, Itudis, do të sillte përforcime të reja në ekip dhe zgjedhja ra mbi Majk Xhejmsin, një nga koshashënuesit më të mirë të Euroligës gjatë sezonit të kaluar.

Xhejmsi, në fakt, luajti mjaft mirë me Olimpian e Milanos, por, megjithatë, ai nuk ra dakord për vazhdimin e bashkëpunimit më këtë klub gjigant italian. Makabi i Tel Avivit iu afrua nënshkrimit të marrëveshjes me këtë basketbollist amerikan, por, kur në garë hyri CSKA-ja e Moskës, Xhejmsi nuk pati asnjë dilemë.

CSKA-ja, po ashtu, ka siguruar shërbimet e shuterit amerikan, Ron Bejker, që vjen nga NBA-ja, ku ai ka luajtur me Nju Jorkun dhe Uashingtonin.