Një tjetër klub i rëndësishëm europian mund të ketë aksionerë kinezë. Të paktën, kështu lajmërohet nga Tuiter nga një gazetarë i medias “Talksport”. Bëhet fjalë për Liverpulin, për të cilin sipas këtij gazetari, janë gati të jepen 800 milionë stërlina (gati 900 milionë euro) nga një kompani kineze me mbështetje nga shteti. Flitet për kompaninë “Çajna Everbrajt” (China Everbright) që besohet se do t’i bëjë ofertë grupit amerikan “Fenuej Sports Grup”, që është edhe pronar i Liverpulit. Flitet madje se shitja e aksioneve mund të bëhet që këtë javë, ose deri në Krishtlindje. Gjithsei, pronari i të kuqve, Xhon Henri, e hodhi poshtë këtë njoftim si “jokorrekt”, ndonëse nuk dha ndonjë hollësi. “Burimet e mia po më thonë sonte se shitja do të bëhet me shumë mundësi deri në Krishtlindje, ose deri në fund të kësaj jave”, postoi gazetari, ndërsa Henri u përgjigj se “është mirë që burimet tuaja do të përgënjeshtrohen shpejt, ndërsa zakonisht kërkohet kohë më e gjatë”. Amerikanët e blenë Liverpulin në 2010 për 300 milionë stërlina.