Reali i Madridit është në një moment jo shumë pozitiv duke qenë se në dy ndeshjet e fundit në kampionat ka grumbulluar vetëm 1 pikë. Tani klubit merenges i shtohet edhe një telash tjetër që e ka emrin Garet Bejl. Sulmuesi uellsian nuk priti të mbylleshin 90 minutat e sfidës me Real Sociedad dhe u largua përpara kohe nga ‘Santiago Bernabeu’, pikërisht në minutën e 78 kur rezultati ishte ende 1-0 në favor të skuadrës baske. Kjo do të thotë se Bejl nuk e ndoqi këtë ndeshje deri në fund dhe imazhet e tij u shfaqën në programin televiziv ‘El Chiringuito’.
Garet Bejl u dëmtua në këmbën e majtë në ndeshjen me Vijarrealin dhe kjo ishte hera e 8 për të dhe do të qëndrojë jashtë fushave të lojës të paktën për 2 javë. Ndeshjen me Real Sociedad e ndoqi nga tribuna dhe këtë do ta bëjë edhe në përballjen me Betisin si dhe dy ndeshjet e Kupës së Mbretit ndaj Leganes në 9 dhe 16 janar.
Sfidanti.al