“Mançester Siti pati probleme, por kjo ndodhi në dhjetor, ndërsa tani jemi në janar”. Ky ishte një prej komenteve të Jurgen Klopit, në prag të sfidës së Liverpulit të tij ndaj ekipit të Guardiolës. Sikur ta kishte parashikuar, pasi gjermani doli i humbur nga supersfida e Premier Ligës, ndërsa tani i tha “lamtumirë” edhe Kupës së Anglisë. Krejt në të kundërt me Sitin dhe Totenhemin që fituan me shifrat identike 7-0, të kuqtë u mposhtën 1-2 në fushën e Uolvesit.
Një koment tjetër për rivalitetin për titull në Angli e bëri ish-trajneri i Mançester Junajtidit, Luis Van Gal. “Nëse do të duhej të vija bast, paratë e mia do të shkonin për Liverpulin, – u shpreh holandezi, – Siti ka mbrojtje katastrofë, ndërsa Liverpuli është shumë i fortë në prapavijë”. Dakord, por si i bëhet kur të dëmtohen tre nga qendërmbrojtësit? Kjo po ngjan me “redsat”, pasi ndaj Uolvesit u dëmtua edhe Dejan Lovren. Kroati iu bashkua dy mbrojtësve të tjerë të qendrës, Xho Gomez dhe Zhoel Matip, që ishin lënduar që më parë.
Jurgen Klopi mezi po pret që të mbarojë ky janar i mallkuar, por do të duhet të presë, sepse ende nuk ka përfunduar një e treta e muajit. Ndoshta, eleminimi nga Kupa mund të dalë për mirë për ekipin e tij, pasi do të ketë më pak ngarkesë në një sezon tepër të ngjeshur me ndeshje. Kjo, në Angli, nuk është gjë e paktë, veçse Klopi lutet që të dëmtuarit të kthehen sa më shpejt, dhe që skuadra të kthehet tek fitoret, pasi ndryshe morali do të merrte për poshtë.
Sfidanti.al