Solari: Hazari ka një problem, do të luajë në vendin e Ronaldos!

Ish-traineri i Realit të Madridit Santiago Solari, në një intervistë të fundit në ESPN, midis të tjerave, foli edhe për lojtarin që do të ketë primatin e yllit më të madh në ekipin “mbretëror” – Eden Hazar.

Mbasi u largua nga “Stemford Brixhi” dhe erdhi në “Santiago Bernabe”, ky futbollist belg pranoi sfidën më të madhe në karrierën e tij. Hazari njihet për driblimet e tij fantastike dhe krijimin e rasteve të golit për bashkëlojtarët e tij, por, sidoqoftë, Solari konsideron se ai do të ketë një problem, sepse ai do të luajë në të njëjtin pozicion, ku dikur ka luajtur Kristiano Ronaldo, gjë që do të thotë se suksesi ose mossuksesi i tij do të matet sipas golave që ai do të shënojë deri në fund të sezonit.

“Sigurisht që Hazari do ta zotërojë pozicionin e majtë anësor dhe ai është një lojtar që e bën ekipin të luajë sipas ritmit të tij, por problem për të do të jetë fakti se ai do të mbulojë vendin që ka lënë bosh para një viti Kristiano Ronaldo, dhe Reali do të ketë nevojë për golat e tij që të luftojë jo vetëm për titullin e La Ligës, por edhe që të trimfojë në Kupën e Spanjës dhe Ligën e Kampioneve”, deklaroi Solari.

Sfidanti.al