Rumenige nuk e pëlqen Kovaçin, çfarë problemi për Bajernin!

Një kritikë është gjithnjë normale, nëse nuk bëhet me tendencë, kjo dihet. Nuk është aspak normale, veçse, kur kritika e një shefi klubi ndaj trajnerit të tij bëhet në publik. Nëse Niko Kovaç gaboi duke thënë në televizion se “jam shumë optimist se do ta marrim Leroi Sanenë”, Karl-Hajnc Rumenige ishte shumë më keq, kur doli para kamerave dhe lëshoi “breshërinë” ndaj kroatit: “Nuk më pëlqeu aspak deklarata e tij”.

E gjithë kjo histori e familjes që doli në “pazar” rikujtoi fundin e sezonit të kaluar, kur mediat gjermane komentuan për “luftë civile” tek Bajerni, me shefin ekzekutiv Rumenige që nuk donte ta mbante Kovaçin si trajner, dhe me presidentin Uli Hënes që “votoi” për kroatin. Vetë Kovaç u shpreh se i kishte kërkuar falje Pep Guardiolës duke e marrë në telefon, dhe po ashtu i kërkoi falje hapur Mançester Sitit, veçse debatet në publik thjesht krijuan një përshtypje të keqe për atë që po ndodh tek Bajerni.

Fitorja 6-1 ndaj Fenerbahçes në Kupën AUDI ishte shumë e mirë, por a mjafton për të thënë se gjërat janë qetë. Bavarezët nuk po munden të përforcohen, dhe Rumenige pohoi i dëshpëruar se “transferimet janë bërë shumë të shtrenjta dhe të vështira”. Një tjetër minus, që mund të ndikojë në sezonin e kampionëve të Gjermanisë.

Sfidanti.al