Debati është i madh në Madrid për Isko Alarkonin. i mbiquajtur një nga gjenitë e futbollit iberik, ai vazhdon të shkëlqejë tek Spanja, por të jetë i padëshirueshëm në atë “merenges”, dhe kjo është bërë alarmante sidomos me ardhjen e Solarit në stol. Isko ka numrin më të vogël të minutave, nën drejtimin e tij, në krahasim me gjithë lojtarët e tjerë, përjashto Vajehon, Marianon dhe Brahimin. Dy të parëve kjo u ndodhi për shkak dëmtimi, ndërsa Brahimi sepse erdhi vonë.
Polemikat u bënë edhe më të forta pas ndeshjes në “Kamp Nou” ku Isko sërish nuk luajti, por ku në fushë ishte Marselo. Kritikët theksuan se nëse ka lojtar më të dobët për momentin tek Reali, ky është Marselo, por sërish Solari e aktivizon, ndërsa Iskon jo.
Ata që diskutojnë për Iskon janë të ndarë në dy kampe, të parët thonë se ai është lojtar i madh dhe se duhet të luajë, ndërsa të dytët thonë se edhe pse është shumë i talentuar, nuk i shkon filozofisë së Realit. Solari duket se është me këta të dytët, por gjithsesi Isko ka të drejtë kur reagon në rrjetet sociale duke thënë se “mua nuk më janë dhënë mundësi të barabarta me të tjerët”. Duket se me ardhjen e verës, ylli i mbërritur nga Malaga, do ta braktisë “Santiago Bernabeun”.
Sfidanti.al