I pari është në rolin e trajnerit dhe, edhe pse ka hyrë në vitin e 11-të në drejtimin e skuadrës, kurrë nuk e kishte nisur vitin në krye të kampionatit. Diego Pablo Simeone po kalon padyshim sezonin e tij më të mirë me “rohiblankot” edhe pse ende nuk ka fituar asnjë trofe. Tekniku i shquar argjentinas është shpirti i Atletikos, që me fitoren 2-1 në fushën e Alaveshit arriti suksesin e katërt radhazi në La Liga, dhe mbajti kryesimin me 38 pikë në 15 ndeshje, ndaj 36 të Realit në 17 sfida. Kjo ishte ndeshja e 501-të në stolin e Atletikos për Simeonen, që gjithsej ka 708 ndeshje si trajner, diçka aspak e vogël. Argjentinasi ka fituar 18 trofe si lojtar dhe teknik, dhe synon një tjetër La Liga.
“Gjëja më e mirë për ne ishte që lojtarët nuk u bënë nervozë, – tha ai më pas, – gjithnjë e kemi pasur të vështirë këtu. Alaveshi është shumë konkurrues. Gjithsesi, në pjesën e dytë ne e patëm fajin vetë sepse nuk shfrytëzuam rastet”. Simeone la sërish në stol Zhoao Feliksin, duke e futur në pjesën e dytë, dhe portugezi krijoi golin e Suarezit në minutën e 92-të. “Ishte një zgjedhje e imja, – tha trajneri, – Korrea po luante shumë mirë dhe ndeshjet zgjasin 90 minuta”. Suarez realizoi golin e tij të 9-të në La Liga duke qenë baraz me vendin e parë (Aspas, Moreno), me një më shumë se Benzema dhe dy më shumë se Mesi.
Sfidanti.al