Si kapiten i takon atij të jetë ndërmjetësi. E thotë edhe FIFA, por për Sergio Ramosin rregullat janë të shkruara në tru. Reali ndeshet sot me Sociedadin në “Santiago Bernabeu”, dhe ky fakt në vend që të ishte mbështetje, është kthyer në një barrë. Tifozët kanë qenë kundër skuadrës që po lëshon terren javët e fundit dhe që u eleminua nga Kupa e Mbretit. Në këtë moment ndërhyri kapiteni, duke lëshuar një mesazh videofonik në rrjetet sociale.
“Mbi të gjitha, ne dhe tifozët, kemi për detyrë që të jemi një ekip i pathyeshëm dhe jam i bindur se duke qendruar së bashku mund ta fitojmë kampionatin, – e nisi ai fjalën për publikun, – jemi përpara një ndeshjeje delikate dhe një kundërshtari shumë të fortë, që po zhvillon një sezon shumë të mirë. Ne ishim kampionë të dimrit dhe duhet të vazhdojmë kështu”.
Drejtuesit e Realit, lojtarët dhe trajneri Zidan janë të shqetësuar pas asaj që ndodhi në ndeshjen e kaluar në “Bernabeu” ndaj Malagës, ku publiku doli kundër tyre, edhe pse përfundimi ishte fitore 2-1. Kritikat kanë qenë të ashpra për Kristiano Ronaldon, që nuk duket në formën e tij më të mirë, dhe duket se është harruar fakti se ai fitoi Topin e Artë vetëm pak javë më parë.