Në një intervistë në kanalin you tube brazilian, “Desimpedidos”, Kristiano Ronaldo, deklaroi se ai është i kënaqur me sukseset që ka arritur, deri tani, në karrierën e tij dhe se nuk i ka humbur besimin, forcën dhe ambicien edhe për një “Top të artë” tjetër.
“Asnjëherë, nuk kishta menduar se do të arrija që të fitoja pesë ‘Topa të artë’ dhe, sikur karriera ime të përfundonte në këtë moment, unë do të isha shumë i kënaqur. Por, nëse do të fitoja edhe një ose dy ‘Topa të artë’ të tjerë, do të isha akoma edhe më i lumtur. Por, unë kam ende vetëbesim dhe forcë që të luftoj për këtë trofe, por një gjë e tillë do të varet nga titujt që ne do të mund të fitojmë gjatë këtij sezoni”, vuri në dukje futbollist i shquar portugez.