Në Madrid nuk e kanë humorin sipas motit. Presidenti Florentino Perez, edhe pse i kritikuar shpesh për paqendrueshmërinë e tij, duket se ka nxjerrë mësime dhe po e tregon këtë sezon. Kristiano Ronaldo, pavarësisht kritikave të këtyre javëve, lajmërohet se do të rinovojë kontratën pas pak ditësh në “Bernabeu”.
Të hënën ose të martën, ky është afati që jep gazeta “Marka” për firmosjen e akordit të ri mes klubit dhe yllit më të madh ndoshta të historisë “merenges”. Shifra nuk jepen, por rroga do të jetë vërtet “stratosferike”, gjithnjë në duel me Lionel Mesin. Reali dëshiron jo vetëm të vlerësojë Ronaldon, por edhe të ruajë madhështinë e tij.
Marrëveshja e re do ta mbajë Kristianon deri në 2021 në Madrid, pra ai do të ketë 12 sezone me fanelën e bardhë. Kjo, pavarësisht dyshimeve që janë krijuar nëse ai do të mundet të jetë edhe në të ardhmen po aq i mirë sa deri edicionin e kaluar.
Perez, ndërkaq, vazhdon me rinovimet dhe Ronaldo do të jetë lojtari i pestë që do të hedhë firmën. Këto janë blerjet e një sezoni që nuk ka shkëlqyer me prezantimet e reja, por me bisedimet për të mbajtur yjet e skuadrës.
B. Kuka