Rej Manaj ka vendosur të provojë fatin e tij tek Barcelona!

Ka vendosur që të presë. Në “Kamp Nou” duan me gjithë shpirt që Rej Manaj të marrë sa më shpejt avionin e të largohet për në një ekip tjetër, veçse sulmuesi shqiptar mendon ndryshe. Ndërsa u nis me ekipin në fazë përgatitore në Gjermani, futbollisti i kombëtares ishte me mendimin që ta provojë fatin e tij tek Barcelonë. Ai shpreson që gjatë këtyre ditëve të bindë trajnerin Ronald Kuman që ta mbajë, dhe ta konsiderojë të vlefshëm për planet e tij. Një detyrë aspak e lehtë, në një ekip ku janë lojtarë ofensivë si Grizman, Dembele, Depai, Aguero apo Brejthuejt, ndonëse 3 prej tyre pritet që të largohen.

Barcelona dëshiron të fitojë 5 milionë euro me transferimin e Manajt, dhe po ashtu të kursejë para që duhet t’ia japë Albasetes. Në bazë të marrëveshjes për transferimin në 2019, katalanasit paguan 700 000 euro, ndërsa duhet të paguajnë 500 000 euro çdo sezon për 5 vite radhazi. Nëse shqiptari largohet, shpëtohen gjysmë milioni euro në 2021 dhe për financat e klubit këto kohë janë të rëndësishme. Sasuolo në Serinë A italiane është kandidati kryesor për ta marrë lushnjarin, ndërsa pretendentë janë edhe Kadisi në La Liga të Spanjës dhe Famalikao në Superligën e Portugalisë. Sipas traditës në futbollin spanjoll, klauzola e transferimit e Manajt është 50 milionë euro, por kuptohet që Barcelona do të kënaqej edhe me 10 herë më pak.

Sfidanti.al