Reali synon “sulmin atomik” në 2021! Mbape e Haland në krah të Hazarit!

Për momentin, duket sikur vëmendjen e kanë diku tjetër. Skuadra e Realit të Madridit ka rinisur stërvitjet kolektive në pritje të fillimit të La Ligës në qershor, por trajneri Zinedin Zidan dhe presidenti Florentino Perez, kanë edhe shqetësime të tjera. Ata duhet të forcojnë ekipin, dhe planet janë për verën e vitit tjetër. Në krah të Eden Hazarit, Zidani e Perezi duan të vendosin dy yje sulmi, nga më të mirët dhe nga më të rinjtë në Europë.

Pas marrjes së belgut nga Çelsi për gati 100 milionë euro, synohen Kilian Mbape dhe Erling Haland. Ka kohë që flitet për blerjet e reja “galatike” të Realit, dhe sulmuesi francez do të jetë goditja kryesore. Mbape mund të kushtojë deri në 250 milionë euro, vetëm përsa i përket kartonit, por do të ketë edhe një rrogë të jashtëzakonshme që mund të shkojë nga 30 deri në 40 milionë euro në sezon. Në një kontratë 5-vjeçare, shpenzimi i madrilenëve për 21-vjeçarin mund të arrijë në 200 milionë euro. Shumë do të varet nga fakti nëse kampioni i botës do të rinovojë apo jo kontratën me Paris SG, akord që përfundon në 2022, pasi nëse nuk e bën, vlera e kartonit do të bjerë ndjeshëm.

Erling Halandi, ndërkaq, do të jetë më i lirë. Klauzola e transferimit të tij, në kontratën e firmosur me Dortmundin arrin në rreth 70-75 milionë euro. Norvegjezi 19-vjeçar shënoi në rifillimin e Bundesligës, ku ka 10 gola në vetëm 9 ndeshje, ndërsa gjatë gjithë këtij sezoni ka realizuar 41 rrjeta në 34 sfida.

Sfidanti.al