Filmi i fundit i “Netfliksit” për superyllin e NBA-së ka ngjallur nostalgjinë dhe ka hapur sërish diskutimet se kush është basketbollisti më i mirë i të gjitha kohëve. Pra, Majkëll Xhordani, Lebron Xhejmsi, Bill Rasëlli apo Karim Abdul Xhabari? Njëri nga gazetarët me stazh tepër të gjatë, si Oliver Holti i “Deili Meilit”, shkruan një opinion duke vlerësuar Xhordanin si një fenomen në sport, edhe pse nuk ia jep në mënyrë të padiskutueshme kurorën e më të mirit.
“Nuk e vras mendjen nëse “Vallëzimi i fundit” e bën Xhordanin të duket mbinjerëzor, – shkruan ai, – kjo sepse ai ishte i tillë (pa pasur nevojë për të). Kam pasur privilegjin të shijoj Airton Senën të drejtonte një makinë në Formula 1, Rozher Federerin të luante tenis, Tajgër Udsin në gol, dhe magjitë e Lionel Mesit në futboll, por kurrë nuk e kam ndjerë më shumë prezencën e madhështisë sesa ndodhte kur ndiqja Xhordanin në një Arenë basketbolli”.
Xhordani fitoi 6 tituj në NBA, ndaj 3 të Lebronit, ishte 5 herë Lojtari më i mirë i sezonit (Lebroni 4), 6 herë Lojtari më i mirë i finaleve (Lebroni 3), ishte 11 në Skuadrën e Yjeve (Lebroni 15), ishte 9 herë në Ekipin e mbrojtësve më të mirë (Lebroni 5), ishte 1 herë Mbrojtësi më i mirë i NBA-së (Lebroni 0 herë), ishte 10 herë shënuesi më i mirë i NBA-së (Lebroni 1 herë), ishte 3 herë lideri i NBA-së në vjedhje topi (Lebroni 0).
Ishte më i mirë se Lebroni për mesataren e pikëve për ndeshje, të vjedhjeve të topave dhe të bllokimeve të gjuajtjeve të rivalëve, ndërsa Lebroni ishte më i mirë në mesataren e topave në tabela dhe të asisteve. Sidoqoftë, Xhordani ishte absolutisht më i miri atëherë kur duhej, në plej of, me mesatare prej 33.4 pikësh për ndeshje (Lebroni 28.9), 6.4 topa në tabela për ndeshje (8.9), 5.7 asistë për ndeshje (7.1), 2.1 vjedhje për ndeshje (1.8) dhe 0.9 bllokime për ndeshje (1).
Sfidanti.al