Reali mëson të fitojë “me breshëri”, optimizëm për Championsin

La Liga është “poligoni” për eksperimente dhe për rritje morali për në Champions. Nuk është të jetë kështu, por Reali duhet të përshtatet me të vërtetën, dhe më në fund poi a del për mrekulli. “E sëmura e Spanjës”, siç quhej skuadra e Zidanit, tani është “mrekullia spanjolle”, pasi ka mësuar të fitojë “me breshëri”.

Sukses 3-1 në fushën e Leganjesit, arritur me përmbysje dhe me shumë mungesa, gjë që tregon se madrilenët janë po aq të frikshëm sa ishin në majin e gushtin e vitit të kaluar. Ronaldo ishte me pushime në Portugali, Marselo, Modriç apo Kros ishin ende të dëmtuar, ndërsa Garet Bejl në stol, por titullarët ishin të shkëlqyer, që nga Marko Asensio, Lukas Vaskez, kapiteni Sergio Ramos, Kasemiro e deri kroati Mateo Kovaçiç.

Leganjes kaloi i pari në epërsi në 6’, me golin e Bustinzës, por Lukas Vaskez barazoi pa kaluar 5 minuta. Kasemiro kaloi miqtë në epërsi në 29’, dhe në minutën e fundit Sergio Ramos realizoi me penallti. Madridi është i treti në La Liga, 14 pikë prapa Barcelonës, duke mos pasur më ndeshje të prapambetur. Vëmendja, gjithsesi, është tek Championsi, tek sfida e dytë me Paris SG, pas suksesit të parë 3-1 në “Bernabeu”. Zidan shpreson t’i kthehen të dëmtuarit.

Sfidanti.al