Po, po, ishin lojtarët e saj që shënuan golat dhe siguruan fitoren. Sergio Ramos dhe Dani Karvahal realizuan në fushën e Alaveshit dhe Reali i Madridit u ngjit, të paktën përkohësisht, në krye të kampionatit spanjoll. Ndeshja u mendua më e lehtë për një superskuadër që po e merr veten, por ja që nuk doli e tillë. Garet Bejli goditi shtyllën në pjesën e parë, pasi trajneri Zidan e hodhi në fushë më në fund si titullar, por në pushim u shkua me rrjeta pa prekur.
Madrilenët ushtruan më shumë presion në pjesën e dytë, dhe arritën fitoren. Fillimisht, Sergio Ramos u tregua i saktë në 52’, veçse vendasit barazuan gjithçka me anë të Lukas Perezit me penallti në të 62-ën. U desh Karvahal që të shënonte dhe të garantonte tri pikët. Reali ka 31 pikë në renditjen e La Ligës, pas 14 ndeshjeve të luajtura, ndërsa Barcelona është e dyta me 28 pikë, por ende nuk e ka luajtur ndeshjen e kësaj jave.
Sfidanti.al